Krishtlindje 2011
Kapërcimi i së pamundurës nga ana njerëzore
† Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë
Klerit dhe popullit shpresëtar Orthodhoks,
Bij të shtrenjtë më Zotin,
“Perëndia u shfaq në mish” (1 Tim. 3:16)
Kapërcimi i së pamundurës nga
ana njerëzore është mesazhi themelor i të kremtes së madhe që feston
sot bota e krishterë. Madje edhe mendja më e guximshme nuk e kishte
përfytyruar se “vetë Perëndia i paafrueshëm dhe i pakapshëm do të
merrte natyrën njerëzore dhe do të shfaqej në mish”. Për logjikën
klasike, diçka e tillë i takon sferës së të pamundurës.
Pikërisht, këtë kapërcim të
së pamundurës nga ana njerëzore festojmë sot me madhështi. Dhe thirremi
ta gëzojmë, pavarësisht realitetit të ashpër që përjetojmë. Biri dhe
Fjala e Perëndisë u bë njeri, hyri në historinë njerëzore. Fakti “që u
shfaq” nënkupton jetën e mëparshme e të përjetshme të Fjalës. “Duke
qenë Perëndi dhe Bir i Perëndisë e duke pasur natyrën të padukshme, u
shfaq në të gjithë, duke u bërë njeri (Theodhoriti, episkopi i Kiros).
Liria e Perëndisë nuk njeh cak. Po ashtu dhe dashuria e Tij, që është
cilësia e Tij thelbësore.
“Dhe Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne” (Jn. 1:14). Biri dhe Fjala e
Perëndisë, duke marrë trupin njerëzor shfaqi njëkohësisht vlerën e
pashtershme dhe rëndësinë unikale që ka kjo krijesë e Tij e
mrekullueshme. Dhe zbuloi se qëllimi final i njeriut është të bëhet
banesë e Perëndisë. Me bërjen e Tij njeri, Krishti shfaqi dinamikën e
lirisë dhe të dashurisë së Perëndisë personal, e pakapshme kjo për
mendjen e njerëzore. I vendosi marrëdhëniet njerëzore me Atë mbi një
bazë të re.
Të gjithë sa vështrojmë me besim e
dashuri te Biri dhe Fjala e Perëndisë që u bë njeri, e kuptojmë se Ai
mbetet përfundimisht rruga (Jn.14:6) që udhëheq mrekullisht nëpër
shtigjet e jetës. Dhe shumë nga ne kemi përvojë vetjake, se atje ku të
gjitha duken të mbyllura e të errëta, Ai hap rrugë shpëtimtare.
Kapërcimi i së pamundurës nga ana
njerëzore, që na zbulojnë Krishtlindjet, nuk shpallet me trumbeta dhe
me premtime pompoze publike. Ndërhyrjet e Perëndisë mbeten për çdo kohë
jo të zhurmshme e mistike. Ato i karakterizon thjeshtësia dhe
përulësia, ndërkohë që ruajnë origjinalitet të jashtëzakonshëm. Dhe
këto ndërhyrje vazhdojnë në shekuj.
Ligjet e natyrës që
rregullojnë botën nuk e përjashtojnë ndërhyrjen e Perëndisë Krijues,
Ligjvënës dhe Providencial. Me lirinë dhe dashurinë e Tij, nuk resht së
vepruari, kur Ai e gjykon me vend, për kapërcimin e së pamundurës nga
ana njerëzore, me mënyra të mrekullueshme. Sigurisht, kur nuk ekziston
besimi te Perëndia i dashurisë, i Cili është i lirë nga çdo lloj
nevoje, njeriu mohon mundësinë e mrekullisë. Ndërkohë, i krishteri
pranon me përulësi pafuqishmërinë e natyrës njerëzore dhe i kërkon
Atij, i Cili është i pafund dhe i tërëfuqishëm, t’i falë mundësinë e
përmbilogjikshme dhe ndriçimin për të pranuar mrekullinë.
Kohët e fundit, kushtet e
vështira për shkak të krizës së përgjithshme morale dhe ekonomike kanë
çuar në rrugë të shumta pa krye. Në këtë atmosferë të mjegullt e
mbytëse, e kremtja e Krishtlindjeve vjen që të dhurojë dritë
ngushëlluese. Të sigurojë se Biri i Perëndisë u bë njeri që të qëndrojë
gjithmonë “me ne”. Perëndia nuk na braktis, edhe kur shpesh E harrojmë
dhe sillemi sikur të mos ekzistojë.
Krishti shfuqizon me mënyra
të mrekullueshme të pamundurat nga ana njerëzore. “Se nuk ka punë që të
jetë e pamundur për Perëndinë” (Lluk. 1:37). Por nuk është “Deus ex
machina” i tragjedisë antike. Ai respekton lirinë tonë dhe shpreson që
edhe ne të vëmë në përdorim mundësitë që i ka falur natyrës sonë
njerëzore.
Ekzistojnë shumë gjëra që
rëndom i quajmë “të pamundura”, të cilat ftohemi t’i kapërcejmë me
hirin e Tij, duke filluar nga ato që kanë lidhje të drejtpërdrejtë e
personale. Në pamje të parë, çlirimi nga pasionet tona, nga dashuria e
sëmurë për veten, lakmia, epshi trupor, gënjeshtrat, nga indiferenca
ndaj drejtësisë dhe ligjshmërisë, ndaj solidaritetit me të tjerët ngjan
pothuajse e pamundur. Për më tepër, njëkohësisht shprehemi se është “e
pamundur” të ndërmarrim iniciativa që lypin sakrifica, për hir të
bashkësisë më të gjerë shoqërore. Në të kundërt, besimi dhe marrëdhënia
personale me Krishtin, shpengojnë dhe vënë në lëvizje fuqi të fshehura
brenda nesh për kapërcimin e të pamundurave nga ana njerëzore.
Njëkohësisht injektojnë energji jetësore të mahnitshme në shpirtin
njerëzor, që të rezistojë në kushtet më të disfavorshme të privimit,
përndjekjeve, trysnive dhe të vazhdojë të veprojë me optimizëm krijues.
Këtë përvojë e përmbledh dëshmia e apostull Pavlit: “Të gjitha mund t’i
bëj me anë të Krishtit që më jep fuqi” (Fil. 4:13).
Të kremtet e Kishës na ftojnë
të rishikojmë jetën tonë. Të vijmë në vete nga turbullimi dhe
depresioni. Të ripërtërijmë besimin dhe sigurinë tonë se Krishti,
ardhjen në botë të të Cilit festojmë sot, qëndron gjithmonë “me ne”;
se “të pamundurat për njerëzit, janë të mundura për Perëndinë” (Lluk.
18:27). Të ndryshojmë mënyrën e të menduarit dhe të sjelljes. Të
bashkërendojmë jetën tonë me vullnetin e Tij. Dhe ky ndryshim personal
reflekton gjithmonë me bamirësi në bashkësinë më të gjerë shoqërore;
fuqizon durimin, solidaritetin me të tjerë, paqen, krijimtarinë, me
mënyra që shpesh mbeten të padukshme, por që janë esenciale.
“Perëndia u shfaq në mish...”.
Vëllezërit e mi, kapërcimi i
së pamundurës nga ana njerëzore mbetet përherë mesazhi qendror i
Krishtlindjeve dhe përvoja vetjake e atyre që jetojnë në Krishtin.
Uroj nga zemra, që kjo bindje të fuqizohet brenda nesh gjatë
kësaj periudhe festive, të na ngushëllojë dhe të na mbështesë në vitin
që vjen.
Krishtlindje të bekuara! Viti i Ri qoftë i mbushur me durim ngazëllues!
Me të gjithë dashurinë time më Krishtin,
† Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë